Bajrami: Me Ligjin e pagave përfitoi veç kabineti qeveritar

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se me hyrjen në fuqi të Ligjit të pagave, përpos kabinetit qeveritar, asnjë kategori nuk ka përfituar.

Në emisionin , ajo ka theksuar se me ligjin e ri, kategorive iu janë hequr shtesat si ajo e rrezikshmërisë dhe shtesat e tjera.

“Nëse flasim për policinë, policia i ka pasur shtesat deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të pagave, deri më 1 janar të këtij viti, policia i ka pasur shtesat. Nëse më pyesni nëse ato shtesa janë paguar gjithmonë me kohë, jo, ka pasur vonesa. Ka pasur raste kur nuk ka pasur buxhet të mjaftueshëm dhe shtesat për 5-6 muaj janë paguar brenda një muaji”, ka thënë Bajrami, në Info Magazine në Klan Kosova.

“Kur është bërë Ligji i pagave dhe kategorizimi me koeficient, ju i dini ato postimet e Kurtit i cili ka tregu se cilës kategori sa për qind iu ngrihen pagat, por në fakt të gjitha kategorive iu kanë hequr shtesat si ajo e rrezikshmërisë dhe shtesat tjera. Në fakt ka dalë që ata kanë marrë paga më të ulëta”, ka shtuar ajo.

“Me ligjin e pagave, përpos kabinetit qeveritar, pothuajse asnjë kategori nuk ka përfituar dhe meqenëse ka pasur një inflacion, koeficienti i cili është caktuar me Ligjin e buxhetit vitin e kaluar nuk ka qenë i mjaftueshëm siç nuk është e mjaftueshme as rritja e cila po ndodh tani”, ka potencuar ish-ministrja.