Bajrami paralajmëron se rritja e çmimit të rrymës do të ketë pasoja të rënda në Kosovë

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, deklaron se çmimi i energjisë elektrike është rritur për tri herë në tri vitet e fundit.

‘’Në tri vitet e fundit, çmimi i energjisë elektrike është rritur për herë të tretë dhe tashmë ka  kohë që është dyfishuar’’ thotë ajo.

“Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka propozuar një rritje të tarifave prej 15%, e cila do të hyjë në fuqi më 1 prill, por kjo nuk është rritja e vetme për këtë vit. Sipas vendimit të ZRRE-së, KESCO ka filluar procedurat për të detyruar daljen në treg të hapur të të gjitha ndërmarrjeve që punësojnë mbi 50 punëtorë ose që kanë qarkullim mbi 10 milionë euro’’ shprehet Bajrami.

Deputetja e LDK-së, deklaron se rritja e çmimit të rrymës do të çojë në rritjen e shumëfishtë të tarifave për kategoritë e konsumatorëve.

‘’Kjo do të çojë në një rritje të shumëfishtë të tarifave për këtë kategori konsumatorësh, pasi ata do të furnizohen kryesisht nga importi i energjisë. Kjo ndodh sepse KEK-u ka obligim që energjinë e prodhuar ta ofrojë fillimisht për KEDS dhe KESCO, duke i lënë bizneset e mesme dhe të mëdha në mëshirën e tregut të hapur dhe çmimeve më të larta’’, shprehet Bajrami për FrontOnline.

Ajo paralajmëron se do të ketë efekte të rënda për bizneset, punëtorët, punëdhënësit dhe konsumatorët.

‘’Çfarë do të thotë kjo për ekonominë? Rritja e shumëfishtë e çmimit të energjisë për bizneset e mesme dhe të mëdha do të ketë efekte të rënda për bizneset, punëtorët, punëdhënësit dhe konsumatorët. Për me tepër viteve të fundit të gjithë jemi dëshmitarë të një inflacioni galopant dhe gjithashtu të indiferencës së qeverisë ndaj këtij inflacioni, prandaj një rritje tjetër e çmimit të energjisë elektrike, qoftë për ekonomitë familjare, qoftë për bizneset, do të ishte e papërballueshme për qytetarët e vendit, prej të cilëve shumica mezi ia dalin deri në fund të muajit me shpenzime vetëm për artikuj të domosdoshëm’’, përfundoi Bajrami.