Bashkimi bën fuqinë, pajtimi si parakusht për çlirim, hapi rrugën e shtetësisë dhe dinjitetit kombëtar/Shkruan; Hisen BERISHA

Më 2 shkurt 1990, në Kosovë u shënua një nga momentet më të mëdha morale dhe politike të historisë sonë moderne, që është lëvizja e pajtimit të gjaqeve.
Nuk ishte thjesht një akt human por, ishte një akt i lartë vetëdijeje kombëtare. Ishte një vendim i ndërgjegjshëm për ta ndalur gjakmarrjen në mes shqiptarëve, që energjia kombëtare të përqendrohej aty ku duhej, përballë regjimit okupues të Serbisë.
Nisma lindi nga studentët, brezi më i ndjeshëm dhe më vizionar i kohës, dhe mori peshë shtetformuese kur në krye u vunë profesorët eminentë të Universitetit të Prishtinës.
Aty u ndërtua një aleancë morale mes rinisë dhe elitës intelektuale, që e shndërroi pajtimin në projekt kombëtar. Ky akt i parapriu unifikimit politik e shoqëror të shqiptarëve të Kosovës dhe u bë gur themeli në rrugën drejt formimit të shtetit të Kosovës.
Historia jonë kombëtare njeh edhe një tjetër precedent madhor si, faljen e gjaqeve dhe pajtimin kombëtar në Kuvendin e Junikut, të prirë nga Hasan Prishtina dhe burra të tjerë të mëdhenj të kombit.
Edhe atëherë, shqiptarët e kuptuan se nuk mund të ndërtohet shtet mbi përçarje të brendshme.
Pajtimi ishte parakusht për çlirimin, dhe çlirimi ishte parakusht për shtet. Ajo lëvizje i parapriu formimit të shtetit shqiptar – Shqipërisë.
Në të dy rastet, historia flet qartë se, sa herë që shqiptari ka ditur të falë, ka ditur edhe të fitojë.
Sa herë që ka zgjedhur bashkimin mbi ndarjen, ka hapur rrugën e shtetësisë dhe dinjitetit kombëtar.
Sot, kur përballemi me kriza politike, institucionale e shoqërore, ky mësim historik është më aktual se kurrë.
Pajtimi nuk nënkupton harresë të padrejtësive, por kapërcim të tyre për një qëllim më të madh. Bashkimi nuk është uniformitet mendimesh, por vendosje e interesit kombëtar mbi interesat personale, partiake apo momentale.
“Bashkimi bën fuqinë” nuk është thjesht një moto e së kaluarës. Është një udhërrëfyes për të sotmen dhe një kusht për të ardhmen.
Ashtu si në Junik, e në Verrat e Llukës dhe tërë Kosovën e vitit 1990, edhe sot na duhet guxim moral, përgjegjësi historike dhe vetëdije kombëtare për ta mbajtur gjallë shtetin dhe për ta forcuar kombin.
Historia na ka treguar rrugën. Detyra jonë është të mos e harrojmë./QendraPress/