Çaste poetike me poeten:-Adifete SHITI

Në gotën e thyer të botës
——————————————–
Për hatër të shoqërisë, ngrita buzët te një gotë urrejtje,
aty ku smira helmon zemrat
dhe fjalët vijnë si gjilpëra në mishin e shpirtit.
Piva një gotë xhelozie,
me shijen e hidhur të atyre që s’mund të jenë si ti
dhe të derdhin vrer nga sytë.
Piva një gotë frike,
sepse sot, më shumë se nga bishat,
duhet të ruhemi nga fytyrat njerëzore
që fshehin dhëmbët pas buzëqeshjes.
Piva një gotë hidhërimi,
ku zemrat mbajnë mërinë si fëmijët
që nuk e lëshojnë lodrën e prishur nga dora.
Piva një gotë dashurie,
dhe kujtova se si njerëzit dikur dinin të duanin
pa kushte, pa matje, pa interes.
Piva një gotë freskie,
të shuaj etjen e zemrave të plasaritura.
Piva një gotë ndihme,
që të ndriçojë si një pishtar në duart e errësirës,
e të bëhem një pikë shprese
në gotën e thyer të botës.
Dhe kuptova…
se ndonjëherë, gotat thyhen jo nga duart,
por nga zemrat.
/QendraPress/