Çaste poetike me poeten;-Albulena THAÇI

MOSMIRËNJOHJA
—————————-
Ia dhashë të gjitha…
po, të gjitha.
E në këmbim piva një gllënjkë mosmirënjohje,
që mbyti një shpirt
dhe e varrosi brenda një trupi të gjallë.
Më pas kuptova
se dashuria nuk mbahet e vetme.
S’vlen, edhe po t’ia falësh gjithë botën…
mosmirënjohësi kurrë nuk ngopet.
U zhvesha nga krenaria,
dhashë nga vetja edhe atë që s’e kisha,
por më plagoi ai që e mbaja lart.
Ironi e hidhur…
të të dëmtojë pikërisht ai që e deshe më shumë se veten.
Tani ec me hapa të heshtur,
me zemër të rënduar
që askush s’e sheh.
Por heshtja ime nuk është dobësi,
është varri ku kam varrosur gjithçka që dhashë.
Dhe megjithatë…
në gjithë këtë errësirë mbaj një dritë të vogël për vete,
jo për të t’rikthyer ty,
por për t’u rikthyer tek vetja.
Dhe për këtë ia dola.
Ndaj të jam shumë mirënjohëse.
/QendraPress/