Çaste poetike me poeten;-Armenida QYQJA

Ti nuk erdhe…
——————–
Ti nuk erdhe
Dritë-hijet e pritjes
I le të më përpinin
Në natën e gjatë…
Monologjet e mia i braktisa,
Me sendet e dhomës u treta
Pa frymë, pa zë,
E mpirë ishte koka për mendime,
E lodhur, e mundur nga pritjet…
& & &
S’e ndërroj dot gjakun
———————————————-
Me terrin turren vampirët e vegjël,
Kush e kush më parë të më pickojë,
Në nyje kockash të ma thithin gjakun
A thua se mishi s’u mjafton…
“Zero negativ” është dhënë kushtrimi
Dhurues universal dhe çdo gjah tjetër është lënë,
Dinë dhe ato si prenë ta zgjedhin,
Dhe pse vetëm dy a tre javë rrojnë…
Do të ndryshoj, sa herë të kam premtuar
Nga bota e shtrydhur, e vrarë,
Mushkonjat që dot sonte s’po i vrasim,
Qeshin se e dinë, unë gjakun dot s’e ndërroj…
/QendraPress/