Çaste poetike me poeten;-Barie ÇUPI

Rënia e fundit
———————-
Ikën të “buzëqeshur”
të ledhatuar nga era,
aq shumë yje,
aq shumë histori,
aq shumë shekuj.
Si ajzberg shkrimet,
proverbat,
trillimet.
Mjegullash i gëlltitën
në pellgje,
në detëra,
nëpër lajme u tronditën.
U kafshuan gjysma jetësh,
në gjoksin e djallit kërkuat të pini,
këmbanat kur i dëgjoni,
pa frymë,
të shurdhët,
si rrini?
Vetullat e ngrysura të kohës,
zgavruar shikimi.
Rrugëve të Parisit,të New York-ut,
të Berlinit,
Amsterdamit,
romakët e vjetër me kafka të ngrira
do ju kishin zili.
…rënia e fundit.
Rrugëve të Tiranës stoliset kaosi,
mendjet e acarta kërkojnë ortakëri.
Shfarosen jehonat,
zëri i natyrës qet britma të padëgjueme,
mbyllim sytë,
zhveshur ndjenjat,
kemi harruar të duhemi.
E qeshura egërsohet,
s’ke fuqi të rënkosh,
s’ke as guxim.
Grabitqarët tërhollin zbrazëti,
fëmijëri e vjedhur,
fustanin e saj të njomur tërheqin,
kalohet mbi pellgje lotësh,
jeta ironi.
Ecim,
vrapojmë,
dikush skeletit të tij i shtrëngohet,
dikush ndalet në agoni.
Disa nga frika mos çmenden,
fshehin, shtrembërojnë,
godasin në ekstazi.
Një dishepull të dhënat ndiqte,
ishim apo nuk ishim,
të gjallët para vetes pa përgjigje.
/QendraPress/