Çaste poetike me poeten,-Behare Daja Kasa

PËRDITSHMËRI

———————————

Ne jemi grindur edhe herë të tjera

Dhe kemi grisur çdo detaj si dëshmi.

Ti nga krenaria, jeshiles i heq ngjyrën

E unë nga inati xhelozoj pa kufi.

E si ulen gjakrat, të dy në heshtje presim,

Kush hapin ta hedhë e të flasë i pari.

Nga krenaria e tepërt as emrin s’përmendim,

Me emrat e fëmijëve ngacmojmë me fjalë malli.

&   &    &    &

Muzë

————————–

-Sytë e tu janë plot dritë, – më the.

Dhe unë të vështrova në ninëz…

…se gruaja është muzë,

është poezia e pathurur kurrë…

&

&    &     &    &

Në vend të hakmarrjes

—————————————-

Që mos ndihesh fajtor nis e bën lëshime

E veten ngushëllon se asaj s’i kam asnjë faj.

Por ngushëllimet e vetes janë gënjeshtare

E me gënjeshtrat aspak nuk ndihesh rehat.

Më pas e kupton që zgjidhje nuk gjen,

Se ndjenja nuk matet me mjete gjeometrike.

Nis më hedh ca fjalë metaforash si rreng,

Në vend të faljes së fundshpirtit.

…si grua që jam, ca teka i kam për shtat,

e krenarinë ta thyej me lodrat e mia…

Behare Daja Kasa