Çaste poetike me poeten;-Blertë Tmava VESELAJ

LAVË KUJTIMESH

———————–

Në lavën e kujtimeve

Me hirin e mungesës tënde

Nis ditët boshe në shtratin antik

Ku lava e vullkanit të dashurisë dogji gjithçka

Të treti edhe ty por nuk mori asnjë kujtim.

Në pasqyrë shfaqet hija jote

Një kujtim i heshtur që s’di të plaket,

Mbi dritaren time bie nata me re,

E unë pres një dritë që nuk kthehet.

Sërish natën mbuloj me të zezë

Vetëm me lotët që ndriçojnë si yjet

Duke mos u tharë e as nuk bien

Kanë shtangur në sy si copëza pasqyre.

Në çdo copë pasqyre shfaqet një çast,

Një e qeshur e vjetër, një fjalë e harruar,

Por kur mundohem t’i mbledh, më ndahen në çast,

Sepse kujtimet prekin në plagë të pashëruara.

Ato plagë më japin shpresë

Që vullkani të shpërthejë sërish

Shtratin antik dhe eshtrat të më djegë

Me kujtime të reja shpirtin të më gris.

Le të shpërthejë përsëri ajo natë pa mëshirë,

Ku askush nuk falet, veç zemra që digjet,

Hijet dëshmitarë të jenë

Të humbasim në ndjenjë.

Në natën tjetër do të vish patjetër

Nuk e di si por ti do të vish

Të shënosh ca plagë, për të prek prapë zemrën

Në lavë të digjemi për të fundit natë

Pastaj heshtja le të veshë trupat tanë,

E koha s’do guxojë të shkruajë më asgjë,

Se ç’është djegur në ne, s’ka emër, s’ka fjalë

Veç një dashuri që u bë vullkan… dhe hënë e zezë.

/QendraPress/