Çaste poetike me poeten;-Dije LOHAJ

VITET IKIN

——————

Vitet ikin .

Jo me britma,

por me heshtje që pikon ngadalë,

si njoftimet në telefon

që rrëshqasin pa u hapur.

Dikur numëronim ditët,

tani numërojmë email-e,

kalendarë të mbushur me ngjarje

që s’i ndjejmë,

vetëm i kryqëzojmë.

Foto të postuara nga vende

ku zemra s’ka qenë.

Koha, një ekran që ndriçon fytyrën,

por errëson pamjen e brendshme.

Gjithçka ndodh me shpejtësinë e rrjeteve,

ndërsa ndjenjat ecin zbathur, pas.

Jemi lodhur duke kërkuar kuptim

në “like”-e, në orare, në tituj pune,

harrojmë se frymëmarrja

ka një ritëm më të butë,

më të vërtetë

se dashuria nuk lyp përkthim.

Dhe kur më në fund ndalemi,

vetëm, përballë një dritare nate,

kuptojmë:

– Jeta nuk është ajo që bëmë shpejt,

por çastet që i jetuam pa ngut,

me guximin për të qenë të pranishëm.

/QendraPress/