Çaste poetike me poeten;-Elmije AJAZI

SHTËPIA IME NUK KA MURE
——————————-
Shtëpia ime s’është prej druri,
as prej guri, është frymë e pastër,
në mes të botës, aty ku gjaku flet pa zë,
me nur, dhe zemra hapet —
pa frikë, me plotësi.
Ajo s’ka derë që të më mbyllë brenda,
por hapësirë ku unë mund të zgjas krahë,
jo për të ikur, por për të gjetur vendin,
ku jam e tëra, edhe kur bie në gjah.
Shtëpia ime është hije dhe dritë,
është zë që më thërret në emër tim,
është vend ku dhe errësira s’ka frikë,
sepse ndriçohet nga një paqe
që vjen thellë në shpirtin tim.
Aty nuk pyet kush çfarë ke bërë dje,
as çfarë bart mbi supe pa e ndarë me askënd
, aty të duan edhe kur s’të kuptojnë krejt,
sepse shpirti kuptohet pa fjalë,
në heshtje e në ndjenjë.
Në shtëpinë time, koha s’ka orë,
as harta, as rrugë që të matin drejtime ,
ajo është pranverë, edhe kur bie borë,
është fole dashurie, dhe kur
s’ka asgjë mbi tryezën time.
Çdo mur i saj është lutje në ajër,
çdo dritare — një dritë për brendinë,
çdo e çarë në tokë, një udhë
për shpirtin plak e të ndarë,
të gjejë veten sërish,
pa u humbur në hije.
Shtëpia ime flet gjuhë që s’ka shkronja,
por ndjenjë që zgjatet nga syri në zemër,
është këngë që më rrit,
jo vetëm më mbështjell,
një prehje që më jep forcë — jo thjesht
vend për t’u hedhur në gjumë.
Kur bota më mbyt,
ajo më jep frymë,
kur shpresa më thyhet,
më ngre pa zë, ajo s’është
vetëm vend — por është një rrugë,
një vend që më rikthen
te ajo që jam me të vërtetë.
Shtëpia ime është kuptim i lirisë,
jo sepse jam vetëm,
por sepse jam e tëra,
është kopsht i shpresës në kohë errësirash,
dhe strehë ku qetësia zbret
si qiell i hapur mbi shpirtin.
Prandaj mos më kërko adresë në fletë,
as numër rruge e qytet që më përkufizon,
sepse shtëpia ime është çdo vend
ku më pranojnë vërtet,
ku nuk më ndryshojnë,
por më ndihmojnë të lulëzoj.
Regensburg, më 27 maj 2025
/QendraPress/