Çaste poetike me poeten;-Elmije AJAZI

PRAGMA (nën zë)
——————————–
Nuk ishte flakë ,
ishte dritë nate në korridor,
që ndeze pa zhurmë
sa herë zgjohesha.
Nuk më the “të dua” çdo ditë,
por kishe gjithmonë një lugë më shumë
në sofër.
Dhe unë e dija.
Nuk ishim rrufe,
ishim shi i lehtë mbi çati.
Nuk e ndjemë kur erdhi dashuria ,
na gjeti ulur bashkë,
duke palosur rrobat.
Ti nuk më ngrite peshë nga toka,
por më mësove të ec
kur kisha harruar si bëhej.
Dashuria jote s’ka kartolina,
ka çelësa shtëpie.
Ka pak fjalë,
por vend për këpucët e mia pranë derës.
Ka kujdes që nuk bërtet,
dhe mungesë që nuk largohet.
Jemi bërë një,
jo nga zjarrmi,
por nga mijëra herë “po”
të vogla, të heshtura,
të përditshme.
Dhe kjo ,
ky ritual i heshtur i qëndrimit ,
është dashuria që nuk shembet.
Është pragma.
Regensburg, më 22 qershor 2025
/QendraPress/