Çaste poetike me poeten;-Elvira ZENELI

Ekuivalenca e Dy Shpirtrave

—————————————-

Në një hark drite që s’ka burim,

ti ndodhesh — jo si formë, por si prani,

një lëvizje e heshtur brenda qenies,

ku unë shpërbëhem për të qenë ti.

Pa brigje, pa kohë, pa emër të thënë,

rrjedhim si ide që s’kanë fillim,

një ekuacion i pazgjidhur në dukje,

që gjen vetveten në puthje e shtrëngim.

Drita na thërret në trajta të paqena,

hija na shkruan në boshllëk të bardhë,

dhe mes tyre — një puls i padukshëm,

që na mban të lidhur pa nyje, pa fjalë.

As afër, as larg — veç një përkim,

ku çdo kufi humbet kuptimin e tij,

dhe ne mbetemi një jehonë e dyfishtë,

që dëgjon vetveten në pafundësi.

/QendraPress/