Çaste poetike me poeten –Eva Esat KACANJA

Sërish…
————————-
Vjen një çast,
kur e kursejmë fjalën,
E përzgjedhim,
Përdredhim,
Si një fletë duhani,
Të zbehtë,
Të trishtë.
Ai çast i papritur,
Kur zemra ulërit të shpërthejë,
Si shega e pjekur
Që kërkon të hapet,
Të derdhet,
Mjaltohet,
Në buzë,
Në shpirt.
Vjen një çast,
Kur veten ndëshkon,
Ndjenjat i fundos,
Thellë,
Në një humnerë,
që fundin e ka në mish,
E duke dashur të shpëtosh,
Ndjen dhimbjen therëse,
Atë dhimbje që ngjall,
që shëron sërish.
Vjen një çast,
Kur ndjehesh i rritur,
Shtiresh i akullt,
kur në fakt,
po vdes t’i dorëzohesh magjisë,
Asaj magjie që çel qiejt,
Fryn lumenjtë,
Zbut dimrat,
Ndez vullkanet,
Ngjall heshtjet,
Zgjon buzëqeshjet.
Vjen një çast,
Kur njëri nga dy,
Shtiret si i fortë,
Stoik në vetmi,
Me demek i mençur,
Pelegrin i heshtur,
Bëjmë se nuk jemi,
Bëjmë se nuk ndiejmë,
Kursimtarë në fjalë,
Kur thellë ka thesar,
Thërrime lëshojmë,
Si me të vobektit,
Por a vlen fortësia,
pa dobësinë e tjetrit…?!
evaesatkacanja
/QendraPress/