Çaste poetike me poeten;-Farie BISHA

Çfarë hëne sonte!

—————————

Pothuaj e plotë.

Si profil i bukur

i një gjoksi gruaje.

Në krateret e saj

shënuar dëshirat e një jete.

Të kam mike hënë,

me ty ndaj mendimet.

I rrezaton kësaj nate të bukur vere.

Ndërsa hijen

e mban për vete.

&  &  &

Të dëgjosh qetësinë…

______________________________

nuk është e thjeshtë.

Ndoshta veshët kumbojnë

nga tingujt marramendës.

Sirena në ishuj të shkretë,

apo tone violine Stradivari?

Duam apo jo t’i dëgjojmë,

aty është fjala.

Të hedhura në oktava të pentagramit,

do të ishte më mirë,

duke mos harruar pauzat.

Pa to, nuk formohet ritmi.

Në ekuilibrin mes tyre,

krijohet harmonia.

Të shkurtra, të gjata,

të pamundura ndoshta…

Janë intervale oksigjeni,

në një bazë frymëzimi dhe dashurie,

për të udhëtuar në një Bolero jete.

Kur tingujt e brendshëm mblidhen,

ja shton vlerën vetëm

akustika e shpirtit…

18.7.25 Luzern

QendraPress/