Çaste poetike me poeten;-Fatbardha Xhani MYSLIMAJ

VJESHTA ËSHTË NJË GRUA

——————————————

Vjeshta është një grua që zhvishet ngadalë

Nën flladin e mëngjeseve e të muzgjeve nazike

Natën nën dritën e hënës është e qetë, e brymtë

I bindet dëshirave pa frikën prej pamjes së vet

Dhe lëkundet ndën lëkurën e ndritshme të saj.

Vjeshta është një grua që frutet e veta sheh

Krenohet me ëmbëlsine që i jep shijes së botës

Bisqet e njoma i kujton me nostalgji pranverash

I flet butë e dhimbshëm atyre që jetën u dhuroi

Ndën peshën e fruteve të veta shtrydhet e hesht.

Vjeshta është grua që zemërimin pa shkak duron

Pse pjalmi s’kish faj kur stinës së gjelbërt e joshi

Të verdhat grimca ranë mbi të si pluhur i artë

E la lirisht erën dhe shiun të luajë me harqet e saj

Dhe nuk mohon atë që i la si shenjë të ëmbël ajo.

Vjeshta është njê grua që di të dhurohet pa fund

Të gëzojë për shijen që le në gojën e etjes e urisë

S’ka kushte veç ndriçimit të jetës në sytë që i do,

S’ka kushte veç lejimit të vazhdimësisë e përndritjes

Dhe thotë me vete: bëra gjithë ç’munda, më ndjeni!

/QendraPress/