Çaste poetike me poeten;-Flora PECI

UNË FAL SI QIELLI QË S’KA MUR

——————————–

Unë fal,

jo me buzë,

po me rrënjën time më të thellë,

aty ku hapi i parë i dritës

prek zemrën që ka qarë natën pa fund.

Kam parë sytë e tyre —

ata që më thyen,

që më panë si gur, jo si shpirt.

Dhe përsëri

zgjata dorën,

jo për t’i tërhequr,

por për të mos u fundosur unë në errësirën e tyre.

Fal, sepse shpirti im s’mund të mbajë

aq shumë thika të prapta,

as zemra ime s’është kasafortë për helm.

Kam nevojë për ajër,

jo për hak.

Unë fal si qielli që s’ka mur,

si uji që s’mban fytyra,

si dheu që mban trupat e të gjithëve njësoj.

Shpirti im është një tempull pa derë,

ku ndizen qirinj për të gjithë:

për mikun që iku pa lamtumirë,

për armikun që la gjurmë me zjarr,

për vetveten —

që shpesh s’e fali dot.

Në qetësinë e heshtjes,

kur bota më harron,

unë flas me Zotin pa fjalë,

vetëm me frymën që del prej meje

si tym prej një qiriri që s’është shuar ende.

Dhe ai më mëson:

se falja nuk është dobësi,

por një portë e fshehtë për te liria.

Se ai që fal,

ngrihet më lart se dhimbja,

fluturon nëpër qiej

që s’i njeh prangat e së djeshmes.

/QendraPress/