Çaste poetike me poeten:- Gerta BANDILLI

GJYSMË

————–

Asnjëherë nuk i kam dashur

gjërat gjysmë

Të jetosh gjysmë

Është skllavëri mendimesh

Që e di se i ke, por nuk i zotëron.

Nuk ke ç’ e do gjysmë nate,

Pjesa që nuk e jetojmë

Ka ëndrrat,

As gjysmë dite nuk ke ç’e do,

Të zgjedhësh mes lindjes

Dhe perëndimit të diellit,

Nuk është pjesë që të takon

Gjysma gjithmonë mbaron shpejt!

Mos prano të të tregojnë kufij,

Që të ndrydhin brenda morsave të buzëqeshura

Vetëm se shkëlqen çeliku,

As të t’i përgjysmojnë pasionet,

As gjysma e dritës që hyn nga dritarja

Nuk e sfidon gjysmë errësirën që ke brenda,

Të lodhin gjysmat!

Gjysmë gote,

Gjysmë leku,

Gjysmë lirie,

Gjysmë jete,

Gjysmë fjale,

E unë di të numëroj veç me gishta,

me to nuk numëroj dot

As gjysmën e gjysmave.

Kështu zvarritem përgjysmë

Në një gjysmë rruge

Ku më përqesh një gjysmë dashurie…

/QendraPress/