Çaste poetike me poeten:-Gerta BANDILLI

Një natë….

———————–

Mbajta frymën!

Përgjova natën me sytë e mendjes,

qielli lartësohej mbi botë ëndrrash.

Nëpër ajër endej fjala

që puthja jote e bëri pluhur dashurie .

Në gjysmë errësirë binin premtimet,

plasariteshin mure, thyheshin xhama,

dridhej mjegulla që mbështillte

të nesërmen.

Përuluni përpara një nate magjie,

digjini xhindet në vullkane shpirti

dhe prisni që bota të ndalë rrotullimin.

Cilën pjesë të dashurisë

e lamë të shkonte pa jetuar?

Cilën pjesë të shpirtit e lamë

të humbiste në humbëtirë?

Cila pjesë e jona doli prej nesh

për të mos u kthyer më kurrë?

Ta kërkoj, mashtroj veten,

të mos e bëj, mbetem e cunguar

mes botëve që nuk ndryshojnë.

Plaket këpuca që merr me vete

udhëtarin që fort e dashuroi udhën,

plaket dhe ëndrra që merr me vete

njeriun që fort i shkelmoi dëshirat.

Mbajta frymën!

Mbështolla pas vetes natën,

druaja mos e lëndoja

nga dashuria ime…

/QendraPress/