Çaste poetike me poeten;-Hatixhe Çollaku ADEMAJ

GURALECËT E SHPIRTIT
—————————————-
(Këmbë rahat, shpirt i plaguar)
Rruga e jetës copë-copë para shtrohet,
diku shteg
me gjurmë stërgjyshërish
në to gurëzuar,
e diku ngushtë —
ku me zor kalon edhe loti
lugjeve të gërryera, hieroglive jete shkruar.
Ç’na bëre ti, jetë?
Më shumë tokën ndjemë
kur zbathur ishim;
këpucët shpesh i ndërruam,
se rrallë tamam i kishim.
Edhe kur na binin,
plagonin e vranin
se brenda tyre
guralecë mbanim.
Sot, anë e kënd botë
superstrada shtruar,
këmbët janë rahat,
po shpirti i plaguar.
Vijnë e shkojnë njerëzit,
i bien botës qark,
secili vrapon
pa u ndalur aspak.
Enden me lak në qafë,
pa qëllim, pa cak…
/QendraPress/