Çaste poetike me poeten;-Kumrie Avdyl SHALA

VETJA IME, MË FAL
————————————
Vetja ime,
më fal që po të lëndoj
duke afruar pranë teje njerëz të pandërgjegjshëm,
që luajnë me ndjenjat dhe pastërtinë tënde.
Më fal që po të fus në skëterrën e krijesave pa vlerë,
që po përpiqesh t’u japësh kuptim,
ndërsa ata përpiqen ta shkelin karakterin.
Ti më duron çdo ditë,
edhe kur e meritoj të më lidhësh me zinxhir
që të më kthesh në mend,
unë sërish nuk të kursej.
Më fal për plagët që të hap,
për heshtjen tënde që mbart dhimbje mbi supe,
për përpjekjet e tua për t’i udhëzuar të tjerët,
aty ku s’ka as dashuri, as respekt.
Vetja ime, më fal
se po të vras me vetëdije,
pa të pasur as edhe një borxh në këtë jetë.
Të lutem, më fal,
që në përpjekje për të mirën e të tjerëve
po të harroj ty,
vetja ime, shpirtbardhësia ime.
Njerëzve te ligj nuk ua përmbush dot egon,
Sepse ata janë t’paknaqur çdoherë.
Vetja ime, më fal!
& & &
VIZITORJA E HESHTUR
—————————————
Hapa dritaren, të merrte frymë dhoma e miqve,
Kur befas u derdh një flutur, si vetëtimë.
Pa vetëdije, buzëqesha,
Shpirtin ma preku ajo prani e butë.
E pyeta me zë që nuk mban fshehtësi:
“Kush të dërgoi këtë përvjetor,
Të më prekësh derën e kujtimit?”
Fluturoi në qetësinë e hapësirës,
U soll mbi hijet e murit,
Dhe u ngjit si heshtja mbi kujtesë.
E vështroj me mall e çudi,
Thonë, flutura jeton pak ditë,
Por kjo natë, si amanet, të solli tek mua.
Kush ta tha emrin tim?
Cili shpirt të pëshpëriti:
“Shko, se të pret mbesa, motra, vajza jonë”?
Apo rruga e shpirtit kalon gjithnjë pranë meje?
Ah, të isha në mendjen tënde të lehtë,
Të dija ç’kujton, ç’heshtje mban,
Ngjitur në mur si premtim i pafolur.
Ti, vizitorja e përvjetorëve,
Në këtë muaj lotësh të pashtershëm,
Çdo vit të kam pritur.
Erdhe, s’më le në pritje,
O flutur e ngrirë në mur,
Që hesht… dhe më flet me mungesën tënde.
/QendraPress/