Çaste poetike me poeten:-Lola MEÇAJ

Shkretë

—————–

Këto pemë të pakta e kanë palcën e kuqe

Dallëndyshet që ikën me gushë të kuqe

Qielli ngopur me perëndime të kuqe

Orët të kuqe

Edhe toka e buktë është e kuqe

E duam gjakun e dheut,punën

ngjyrat e tokës,kafe,të zezë,të kuqe

Të gjitha janë me gjak

Të gjitha marrin frymë

Duan ujë

Po ia hoqën të drejtën tokës ta quajmë pjellore

Ia thyen brinjët

Nuk ka toka shterpa

Ka shpirtra në fund

Ara varfanjake për thikën e plugut

Brazda të pahapura që humbën orët e diellit

Pulëbardha që enden më kot

të mbledhin krimbin

Kjo tokë ngeli djerr

pa puthjen e gjurmëve

Vetëm thundra shkelin

Po toka e ndez diellin në horizont

Të gjithë i ngulën nga një thikë,

Ia hoqën të drejtën ta quajmë pjellore

Po loti i shterpësisë është i dhimbshëm

është i hidhur

Toka ime djerrë më dhemb deri në kockë

Lola.Meçaj

/QendraPress/