Çaste poetike me poeten;-Lola MEÇAJ

Për ty

———————-

Prapë veson mbi lëkurën tënde

E di,

është përkëdhelje për ty,

ninullë kur fle

Njihemi mirë

Të dy u eksploruam deri në

rruazat e gjakut,

në qelizë e në ind

T’i njoh huqet i marrë,

m’i njeh dobësitë;

bëjmë marrëzi vetëm unë dhe ti

Sa herë të shtrihem pranë,

ëndërruar çmendurisht,

brigje mëngjesesh më puthin

Edhe ti u çudite,

kur mbolla trëndafila mbi zall,

parfum i huaj për ty

Sa herë kemi shtruar gosti,

jemi dehur me të gjitha shqisat

natës magji kur vetëm hëna përgjonte

Të gjithë flenë,

flirtoj me ty,

hap shishen,

e pimë me fund,

lexojmë një letër brenda saj,

asgjë e re,

i vjetër mesazhi shkruar

si vetë krijimi i botës nga hiçi

Një ditë e tepruam me rutinën tonë,

kërkuam të iknim bashkë zbaticës,

të bridhnim lagunës,

ku flenë të tjerë banorë

Sonte s’mund të ikim,

të dy e kemi frikë erën;

i bindemi shtrigës,

na përplas pa anë,

për të mos humbur fshihemi fjordeve

Leri…

I arnoj unë ato që na grisi shtriga erë,

apo era shtrigë siç e quan ti

Skllavëruar vështrimi mbi ty

kur gjumin e bën të qetë

Vetëm verës së nxehtë më prit;

të bëhemi një

Unë të urtoj,

ti më sjell gjithë perënditë

Të dy ngrihemi përkryer mbi këtë botë të madhe

me botë të vogël

Të dy të dashuruar pandashmërisht

Pa ty, sikur s’jam

I kaltri Jon,

sonte le të duhemi të dy!

/QendraPress.com/