Çaste poetike me poeten;-Lola SHEHI

MUNGESË

————————-

Mungoka uji në rubinetë

Të gjithë tubacionet paskan ngrirë

Fytyra pikturuar me përrenj të kripur

Nga burimi Sy, mbetur shkrirë…

Një lot i nxehtë pikon mbi tastierë

M`i flakëron mollëzat ky yll i ndritur

Ndalet mes buzësh, ku humbet shtegun

Më zë gafil, si mysafir i papritur.

Shoh në fron të krekoset acari

Nuk di kush e shpalli perandor!

Më përqafon e më puth me epsh si i marri

Ky mbret që askush s’i vuri kurorë.

Mungon edhe zjarri në oxhak

Sa gjëra të tjera mungojnë nuk e di.

I mangët fle e zgjohet ky prag

Nga mungesa me emrin, Ti…

/QendraPress/