Çaste poetike me poeten:-Lola SHEHI

DUARARTËS SIME

————————————–

Në vesh kam akoma zhurmën e vegjës,

Kur pafund endje fijet e thurje pëlhurë.

Si ylber hidhje ngjyrat, sa bukur thurje motivet,

Si artiste e madhe diplomuar në pikturë.

Me orë të tëra dëgjoja kërcitjen e drugës,

Që tashmë për mua ishte shndërruar në melodi.

Mbi qilima mbillje zambakë, si ata çelur rrugës,

S’endje vetëm pëlhurë, endje ëndrra dhe dashuri!

Në mbrëmje deri vonë, rrëmbeje shtizat,

Vazhdoje të kompozoje me pasion një tjetër vepër.

Nuk pyesje se gjumi t’i rëndonte sytë e lodhur ngjyrë blu

Lodhja për ty ishte fjalë e huaj, tepër e vjetër.

Sa duar të arta ke, o dritëbardha ime! E mira nënë!

A ka ndonjë gjë, qe s’di ta bësh ti?

Mbi qëndisma hidhje qiellin mbushur yje e hënë,

O e lodhura nëna ime!

E shtrenjta ime duarflori!

/QendraPress/