Çaste poetike me poeten;-Luljeta LUBOVCI

Kemi fol me gjak, jo me fjalë
—————————————-
Na kanë rreh, na kanë turturue,
Për fjalë që s’i thamë, për gjëra që s’i bëmë.
Na morën natën, si hije të ftohta,
Na lidhën duart, na shanë me gojë të qelbtë.
Nëpër dhoma pa dritë, pa orë, pa shpresë,
Na i shtypën eshtrat, por jo shpirtin.
Në çdo britmë tonën, një emër i shenjtë jehonte:
Kosovë… Kosovë… qëndro se po vijmë!
Na vinin prangat sikur dhuratë prej mallkimi,
Na numëronin rrahjet me buzëqeshje të ftohtë,
Po ç’kishin mendu – që ne do t’kërcisnim?
Që trupi s’do mbanë, e shpirti do ikë?
Na kanë rreh, por nuk na kanë thy.
Na kanë shkelë, por kurrë s’na kanë poshtëru.
Në çdo vragë, ka mbet amanet,
Me mos me u përkulë – edhe kur gjaku flet.
Ishin fjalët tona më të forta se dhuna,
Heshtja jonë – për ta rrufe që nuk ndalej.
N’çdo shqiptar, ata shihnin një flamur,
Prandaj donin ta fshijnë edhe frymën e parë.
Po kurrë s’mundën, s’mundën me na ble,
As me torturë, as me kërcënim, as me zhdukje.
Se na kishim tokën në gjak e n’zemër,
Na kishim nënat që luteshin n’errësirë.
Na kanë rreh, por na kanë burrnue,
Na kanë turturue, por vetëm na kanë forcue.
Se liria vjen me plagë, me britma, me dhimbje,
E ne ishim ushtarët – pa pushkë, por me nder.
Dhe sot që dielli ndriçon tokën e larë me mund,
Emrat e atyne që nuk u përkulën, janë mur i gjallë.
Na kanë rreh – po s’na kanë mposhtë!
Na kanë turturue – po s’na kanë harrue!
/QendraPress/