Çaste poetike me poeten;-Manushaqe Hoxha LAÇI
URIM ZEMRE PËR TË GJITHË
———————————————
Kosovë, Ulqin, Tetovë e Gostivar
Në çdo frymëmarrje, nëna ju bekon!
Copëza të zemrës në botë shpërndarë
Në dejet e shpirtit, mall për ju pikon!
Preshevë, Çamëri, Malësi e Tivar
Filiza të një lisi që me shpirt e mbroni!
Degët e trungut të pathyeshëm shqiptar
Rrënjët ushqejani, kurrë mos i mungoni!
Në botën mbarë ne shqiptarët jetojmë
Për truallin e të parëve ndjejmë nostalgji!
Gjuhën, traditat, zakonet nuk i harrojmë
Ndihemi krenarë o mbretëreshë Shqipëri!
Moj Shqipëria ime, lulëzofsh përherë
Mos të thaftë dimri, furtuna e acari!
Vendi im, katër stinët i paç pranverë
Dhe mes ngricës t’përkëdheltë behari!
Sundofsh mbi stuhitë, dallgët e rrëmbyera
Zemra tu mbushtë me magjepsje agimi!
Tu zgjoftë shpirti me ëndrra t’ngazëllyera
Paç hambarët plot e ujë t’kthjellët burimi!
Vëllezër e motra që na lindi një nënë
E nëpër botë mbetëm të shpërndarë!
Vendin e t’parëve t’braktisur s’e lëmë
Kemi të njëjtin gjak se jemi shqiptarë!
Në trojet tona, mes ziliqarësh jemi
E zemra na digjet nga malli përvëluar!
Kufijtë të shkulim, dollinë për urim kemi:
Për vit të mbarë dhe kombin bashkuar!
Me bukuritë e natyrës, hënës, diellit
Nga veriu në jug e lindja në perëndim!
Agimet ardhshin me kaltërsinë e qiellit
Shqiptarë: kudo qofshim, paçim bekim!
Viti i mbushur me dallgë, ylbere e stuhi
Jep lamtumirën popujve në botën mbarë!
Mirëpresim me urim e shpresë vitin e ri:
Pastë vit të begatë gjithë kombi shqiptar!
/www.QendraPress.com/