Çaste poetike me poeten;- Margarita Llapushi ZENELI

Të kërkova në mijëra sy

————————————–

Sytë e mi kërkonin sytë e tu,

në rrugët e qytetit,

ku gjethet, të arta e të lodhura,

lëshoheshin si fjalë të pathëna.

Era fshikullonte degët e zbrazura,

e unë kërkoja hijen tënde,

në çdo fytyrë të panjohur,

në çdo buzëqeshje të shuar.

Rrugët heshtnin,

veç hapat e mi flisnin për mungesën tënde,

dhe çdo kthesë e errët

ndizej me shpresë të pakuptimtë.

Mes vjeshtës, mes rënies,

jeta digjej ngadalë si qiri,

e unë prisja një shikim,

që nuk erdhi kurrë.

Ti ishe larg, ndoshta vetëm një ëndërr,

ndoshta një kujtim

që ngjitet mbi stinët e shkuara,

si një gjethe që refuzon të bjerë!

/www.QendraPress.com/