Çaste poetike me poeten;-Merita GRUDA

***

Nga brirët degë

bashkë me borën

me një britmë të mprehtë

një dre i vetmuar shkund dhimbjen

që ngrin në qiellin e bruztë

dhe rrëzohet përtokë

ku një drenushë, e ngroh

me frymën e saj të butë.

——————

***

Vonuar në takim me diellin

kruspull mblidhet dita

nën çarçafë të murrmë resh

shtratit të shterrur të lumit

shiu shuan etje gurësh

dhe një mjegull e lehtë

kujtim vashash të bardha

struket në gji të malit.

Strehuar në vjeshtë

nata gjerb nga pakëz ditë.

/QendraPress/