Çaste poetike me poeten;-Mimoza Eliona OSMANI

Ndoshta…

———————-

Dhe qielli qan agun e trishtë,

Si shpirti kur nisen ushtarët.

S’ka zëra zogjsh përmbi lirisht’,

Mbi fushën gri luhet me zaret

Tufane të shumëfishtë..

Trokasin zemrat në gjokset bosh,

Mall edhe frikë , thirrja e luftës.

Një shi prej plumbash, qiellin shosh,

Largon një tufë nga zogjtë e tufës…

Ky gjak se di kë josh?

Ndër sytë e netëve kërcejnë flakët,

Tek shuhen yjet nën një hënë.

Tretet në lutje një trup i pakët,

Si një qiri tretet një nënë

Duart ia lag loti i vakët,

Dhe muzg i saporënë.

Pendimi do çelë një trëndafili të bardhë,

Jetë mes rrënojash, dalëngadalë.

Paqja do ngjitet qiejve pulëbardhë,

Ndoshta në një botë të re, kristal.

/QendraPress/