Çaste poetike me poeten;- Minire Rukovci HYSENI

DRITARE GËZIMESH

———————————

Shikimin, gëzimin me orar e kisha,

nga ti dritare e bekuar,

e sot të jam mirënjohëse,

për sa here më ke gëzuar.

Më gëzoje kur e shihja

fytyrën plot shkëlqim,

kur dëgjoja zërin e ëmbël

të bashkëshortit tim.

Kthehej me buzëqeshje

nga puna apo ndonjë aktivitet,

e fëmijët kur i dilnin përpara,

sa pamje me lezet.

Mandej, kur shihja fëmijët

që ktheheshin nga mësimi,

me suksese të reja

shkëlqenin nga gëzimi.

Por edhe kur më vinin

të mitë familjarë,

ngase nuk ishin afër

më dukej sikur vinin rrallë.

Sa shumë gëzohesha,

oborri mbushej plot.

Atë kënaqësi po e ndiej

në zemër edhe sot.

Vëllezër, motra vinin

me dy-tri vetura!

E para tek dera

e fundit tek ura.

Plot fytyra të bukura,

qeshje e përqafime,

momente të lumtura

me njerëz t’familjes sime.

E sot ty dritare

të vizitoj rrallë,

ngase nuk gjej kohë,

por për ty ndiej mall.

/QendraPress/