Çaste poetike me poeten;-Miradie Zymberi AVDULLAHI

Rrugëtim i shpirtit!
—————————————–
Nëpër venat e mia, shushurima e erës s’ndalet,
Që fliste me blirin e vjetër, përralla pëshpëriste.
Çdo gur, një histori, një zë që ende më thërret,
Një hije bjeshke, ku dielli flinte e pastaj lindte.
Jam larg, atje ku qielli ndryshon ngjyrë,
Ku zhurma e botës tjetër më merr frymën nganjëherë.
Por zemra, ajo rreh me ritmin e një lumi i qetë,
Që rrjedh mes Kapitit, aty ku shpirti flet.
Kujtoj kroin me ujë të ftohtë, si loti i pastër,
Ku buzët etura ndanin gëzimin e fëmijërisë.
Dhe aromën e dheut pas shiut, një parfum i lashtë,
Që s’shuhet kurrë, pjesë e thellë e qenies.
Sa do doja të dëgjoja sërish, zërin e gjyshes plakë,
Që më thërriste me mall, “O mbesa ime, ti drita e syrit!”
Dhe hapat e gjyshit në oborr, një melodi e artë,
Që sot më vjen si thirrje, nga thellësia e kujtimit.
Do të vij, me sytë plot lot, me shpirtin plot dëshirë,
Do të prek tokën zbathur, të ndiej frymën e saj.
Të flas me pemët, të puth çdo lule, çdo lis,
Se malli për ty, Medvegjë, kurrë s’mund të shuhet.
/QendraPress/