Çaste poetike me poeten;-Nasia XHEMALAJ

SA DËSHIRË…

—————————————

Sa dëshirë kam, të kthehem përsëri,

në shkollën e fshatit ku jepja mësim,

të shoh në sy vlastarët e njomë,

tu jap dashuri, e dritën e diturisë.

T’u mësoj ABC-në, shkrim e këndim,

t’ju flas për historin, atdheun, lashtësinë,

t’u tregoj për rilindasit, Sami e Naim,

t’ju flas për heronjtë, që ranë për lirinë.

T’ju mësoj si rritet një filiz, e bëhet pemë,

t’u tregoj, se si fshihen gjarpërinjtë,

t’u them ta duan jetën, e dritën ta çmojnë,

të urrejnë të shëmtuarën, e të duan drejtësinë.

T’u tregoj se jeta do djers e mund,

se vjedhja e poshtërsitë janë gracka e jetës,

t’ju flas të gjykojnë me ndershmëri,

dhe të mbrojnë me urtësi krenarinë e vetes.

T’ju jap gaz, t’ju them se dita tjetër,

kur dielli e pështjell dhe e shndrinë,

të vërejnë rrezen e kaltërsinë qiellore,

dhe shigjetën vrastare kur koha vetëtinë.

Lirin e Atdheun, dy fjalët hyjnore,

ti duan e ti ruajnë me mish e me shpirt,

dhe gjakun në nevojë ta japin,

nese armiqtë guxojnë të na prekin kufinjtë.

/QendraPress.com/