Çaste poetike me poeten;-Natyra MAVRAJ

Ndyshuam…
————————-
Ndryshuam… të gjithë.
Në jetë, ndërruam faqe,
u thinjëm brenda shpirtit.
Ishim të durueshëm…
aq shumë duruam,
derisa një ditë edhe
durimi u sos.
Besuam verbërisht…
dhe kur na thyen,
na thyen bashkë me besimin.
Thoshim: s’jetojmë dot pa atë,
pa këtë…
Por ja që jetojmë,
me një përqendrim të thellë,
pa ata që dikur nisëm rrugëtimin.
Disa ikën pa u përshëndetur,
disa nuk gjejnë më vend
në praninë tonë.
Sa shumë herë thamë:
s’mundem më!
E megjithatë… mundëm.
Nga të duruar u
bëmë të padurueshëm.
Nga ata që heshtnin,
u bëmë zë të lartë
Nga të besueshëm,
u bëmë dyshues.
Nga të dashur,
të ftohtë.
A thua,
na ndryshoi jeta vetë?
Apo dikush na mësoi të mos
jemi më ata që ishim?
/QendraPress/