Çaste poetike me poeten;-Natyra MAVRAJ

Secili vend

————————-

Secili vend mban gjurmë,

kujtime të freskëta që s’plaken,

dëshira të njoma që s’rrudhosen kurrë,

dhimbje që s’mbulohen nga pluhuri,

britma të pa dëgjuara,

lumturi të heshtura

dhe pse të thërrmuara nga korrozioni i kohës,

ato nuk u zbehën kurrë!

Ka rrugë që njohin emra të harruar,

fytyra të dëshpëruara,

mure që dëgjuan betime të thyera,

premtime të bëra në furtunë,

e të thyera në heshtje.

Ka dritare me dritë e diell,

dritare me ëndrra pezull,

të kalbura mbi pragun ku dhamë betimin.

Dëshira të ngrira si janari,

në kohë pa kohë, pa jetë, pa kthim.

Secili vend ka plagë të freskëta, të pambyllura,

fjalë që s’u thanë kurrë me zë,

njerëz që u ikën vetes,

dhe premtime që u shkelën pa ndjenjë.

Por secili vend… mbijeton.

Nga inati, nga shpresa, nga dashnia,

mban mbi supe hijen e atyre që ikën,

dhe britmën e atyre që s’lanë të iket më!

/QendraPress/