Çaste poetike me poeten;-Pranvera GJONI

.E JETËSUAR
——————–
…edhe kur se dëgjoj
shumësin e përveçëm,
të dua…
E gjej atë në aromën e kafes,
që ç’nyjos çdo ëndërr të prapë
të natës në dje…
mbi tavolinën e servirur
trëndafilash të çdoditëshme.
E gjej atë në përqafimin
e ngjitur ditë-natë,
ku ëmbëlsia e pyetësorit
rrëshqet mbi qafën e mjegullt,
ç’janë këto rè mbi sy?
Të dhëmb trungu?
Mendimi, shpirti…?
E gjej atë në forcën
e kohës dhe të butësisë.
Je stinë jashtë orbite,
dështimi, hidhërimi,
plaga, dhimbja, trishtimi,
do të treten në ikje…!
E gjej atë në adhurim,
sesi të ngjizë magjinë
në heshtje hënore,
e me delikatesë ere
përtyp shkëndijat mbi buzë
që çlirojnë avuj zjarri…
E gjej atë në ngjitjen time
drejt kufirit të tejvetes,
duke më larguar
prej vdekësisë së deshifrimit dramatik,
në dialog me të padukshmet…
…e ndjejë përvëlimin e brendshëm,
si belbëzon prekjes së Mitit!
/QendraPress/