Çaste poetike me poeten;- Principesa SOFIA

“Krahet qe kurr S’me Braktisen.”

—————————————

U mbështeta pas një muri,

më dukej i fortë, i pathyeshëm…

por muret bien,

ashtu siç bien shpresat tek njerëzit.

U mbështeta tek dashuria,

më dukej e përjetshme,

si zjarr që s’do shuhej kurrë…

por dashuria iku, më la,

më la në mes të stuhisë, pa strehë.

Dikush tjetër më tha:

“Eja, mbështetu tek unë,

njeriun si ti unë s’e braktis kurrë!”

Por edhe fjalët nganjëherë

janë më të lehta se era,

i merr koha dhe nuk kthehen më.

Atëherë ku të shkoj?

Kujt t’ia besoj shpirtin tim të lodhur?

Ku të gjej një mur që s’rrëzohet,

një dashuri që s’iku kurrë,

një premtim që nuk thyhet?

Dhe atëherë…

e ngrita kokën lart.

Atje, ku qielli hapet

e yjet më flasin në heshtje.

Atje ku nuk ka mashtrim,

ku nuk ka braktisje.

Po i Madhi Zot,

Ai që s’i lë robërit e tij vetëm,

më priti me krahët e Tij të hapur,

më mbështolli me dritën e mëshirës.

Të gjitha muret ranë,

por Ai mbeti kala.

Të gjitha dashuritë më lanë,

por Ai s’më tradhtoi kurrë.

Të gjithë u larguan,

por Ai më tha:

“Unë jam këtu…

mbështetu tek Unë!”

Dhe zemra ime,

që dridhej si fletë,

gjeti strehë.

Sytë e mi,

që kërkonin njerëz,

gjetën dritën që s’fiket kurrë.

Që nga ajo ditë,

e di:

nuk ka mur më të fortë

se krahu i Zotit,

nuk ka dashuri më të vërtetë

se dashuria e Tij,

nuk ka mbështetje më të sigurt

se prehri i Përjetësisë

/QendraPress/