Çaste poetike me poeten;-Raimonda BRAHA

Pikturë në Tetor

——————————-

Në rrugën e lagësht ku bien kujtimet,

gjethet vallëzojnë si fjalë që s’u thanë,

një pemë si poet, me degë që dridhen,

vizaton në ajër një psherëtimë të artë,

nën dritën që thyhet si kujtim në pasqyrë,

njeh hapat e kohës që s’kthehen më prapë

telajot e perflakura derdhin ngjyra vjeshte

e jeta rrëshqet nën këmbë …

Një grua pas xhamit siluetë e mjegullt,

flokët si era, sytë si shiu nuk pushon,

dielli në cep të qiellit si një monedhë e vjetër,

shndrit për pak, pastaj tretet pa zë, si neon ..

një fëmijë i heshtur me shall nëpër gushë,

vizaton me gishta në xham një Lamtumirë

Një plak me bastun në rrugicën bosh,

mbart mbi supe një stinë të harruar,

lëviz si orë e vjetër dhe ende tik-takon,

në çdo hap një vit, në çdo kthesë një emër,

era flet e tregon për çastet që mbetën,

si fletë që s’arritën të bëhen libër i plotë.

Dhe kështu piktura frymon pa kornizë,

në bojëra të perëndimit, portokalli e pluhur,

ku koha e tretet me një shije gështenje,

e tetori rrjedh në telajo të zemrës,vizatuar

si poezi që s’ka fund,

veç vazhdim në ngjyra,

një mirazh për vjeshtën ,

për jetën që kalon dhe stinët ndryshon .

/QendraPress/