Çaste poetike me poeten:-Raimonda BRAHA

Bohemë e shpirtit tim

———————————

Në udhët e mbrëmjes pa cak e pa emër,

shpirti im bredh si violinë pa tela,

rrëshqet mbi çatitë e mendimeve të vjetra,

si hëna , puth xhamat në heshtje të gjelbërta.

Bohemë e plagosur ,mëngjesi im i tretur në mjegull.

Unë pi nga gota e hirtë e kujtimeve,

ku ndjenjat zjejnë si verëra të praruara.

Çdo dhimbje është një poezi pa lexues,

një fjalë e humbur në fletën e errët të gjumit.

A ka jetë përtej kësaj jete pa fjalë?

Jam hije e vetvetes në dritën e mungesës,

një udhëtar , puth terrin me sytë mbyllur.

Malli më vjen me shushurimën e barit,

kur qielli pëshpërit zërin tënd të humbur,

dhe ajri bëhet lutje që s’e thotë askush.

Në çdo hap, kam një plagë që s’më flet,

një kujtim që më përgjon nga një cep drite.

Endem në labirintin e vetmisë sime,

ku edhe shpresa është një zog me krahë të thyer.

Bohemë e ndjenjës ,shteg që kurrë nuk mbërrin.

Por në këtë shkatërrim ka një lloj lulëzimi,

si vesë mbi petale trishtimi të ndritshëm.

Nga hija lind drita e s’e prekim dot,

dhe unë, poet i plagëve të mia të heshtura,

vazhdoj të këndoj ,bohemë e shpirtit tim të ngrohtë.

/QendraPress/