Çaste poetike me poeten;-Sadbere GAGICA

Për Reçakun
——————————
Reçak, emër i vogël fshati
Që u bë plagë e madhe e botës.
Në mëngjesin e ngrirë
Bora nuk ishte e bardhë,
Por mbante frymën pezull
Mbi trupat e heshtur të burrave,
Që s’u kthyen kurrë në shtëpi.
I morën me emra,
I kthyen në numra,
I hodhën në bunarë
Sikur historia të mos kishte sy,
Sikur toka të mos fliste.
Por toka foli.
Guri foli.
Bunari u bë gojë e errët
Që nxori britmën e fshehur
Deri në qiell.
Nënat mbetën me shami të zeza
Që s’i thau as koha,
Fëmijët u rritën me pyetje
Që s’kanë varr ku të qajnë.
Reçak,
Ti nuk je vetëm kujtim,
Je dëshmi.
Je fjala “kurrë më”
E shkruar me gjak të pafajshëm
Në ndërgjegjen e njerëzimit.
Dhe sa herë që heshtja rrezikon të fitojë,
Emri yt ringrihet,
Si kambanë e rëndë,
Për të na zgjuar
/QendraPress/