Çaste poetike me poeten;-Sadete HISENI

Qytetit t’hekurudhës
—————————-
U çel dita n’qytetin e hekurudhës
U ba çicër nën hijet e ndërtesave
Të bane gardh
Thurrë kryq e tërthuer
Palue qiellës si mullinjtë e erës
Kurse
Hiç ma larg se mbramë,
Ia ndjeva zapullinë tu këndue tallava
N’shtratin e asfaltit
Qyteti si zgjua bletësh,
Me jetë nate, me jerm dritash,
Me zâ t’rrugës që gumzhin
I rashë cep më cep,
Ia preva rrugën e një andrre që endet si dikur
Ia piva limonadën me dredhëza
Ia shkela kalldrëmin me farë kungulli
E u ndala aty-këtu,
Si me lanë shenjë
U çel dita n’qytetin e hekurudhës
E u ba çicër panorama,
E në shpirtin tim më mbetet ajo pasqyrë
Me lypsa fëmijësh me gishta t’thatë
Tu hjek nën hijen e kullave
Binjake, trenjake, pesënjake
Kulla që mbajnë veç kate
Çicër u ba qyteti
E n’matanë rruge
Shitësit e frutave shplunë çarçafët e natës
Pa vesë, e në qetësi
A qyteti i hallakatur qysh mbramë
nga zhurma e natës mban qepallat randë
E megjithatë, unë prapëseprapë
I gëzohem si një fëmijë
Rrobeve të reja për ditë dasme
Gusht25
/QendraPress/