Çaste poetike me poeten;-Shpresa Fundo GJERGJI

Improvizoni lumturinë

——————————-

Kapeni dritën, me diellin bini në dashni…

 Improvizoni lumturinë, me copëra drite,

në një mëngjes ku kafeja aty për ty,

është gati mes punëve të shpërndara të një dite…

Me një përqafim e këngë që s’kanë fjalë,

veç frymë që jep jetë!

Hidhni pak ujë mbi një lule të harruar,

të gjallë, shikojeni si përshëndet me gjethe,

 e dridhur ajo flet.

Në cepin e dritares flisni me një mace,

ajo e di sekretin që ju harruat dje.

Me pasqyrën, thjesht bëni paqe,

ajo pasqyron sytë tuaj në heshtje.

Vishni ngjyrat që ju bëjnë të ndiheni fëmijë,

 edhe kur dita ka vranësira të lodhura pa buzëqeshje.

Mblidhni rrezet e diellit me gishta,

si të ishin copëra letre për të shkruar falënderime.

Këndoni nën zë,

kërcejeni ditën pa ritme të trishta,

buzëqeshuni agimeve! Lumturinë,

mos e kërkoni larg,

është brenda zemrave tuaja të brishta!

/QendraPress/