Çaste poetike me poeten;-Shqipe BYTYQI

LIRIA

———————

Shpesh thuhet

erdh si dhuratë

por ajo u ble me gjak

me emna t’gdhendun n’gurë

me trupa që s’patën kohë me u plakë

Liria erdhi edhe si provim

se heroi n’petkun e pushtetit

shpesh, shumë shpesh

s’mbetet hero, as dritë

ai bahet hije

e hijet s’dijnë me mbajt dritë

hijet shkelin mbi herojt e heshtun

që s’paten kurrë asgja

veç tokën që i mori shpejt

Edhe ma herët

e patën thanë

liria, shpesh i han herojt e vet

i mbulon me dhé

të tjerë me harresë

ose turp

E kjo

veç kjo

asht nji dhimbje

pa fund…

ShB, dhjetor 2025

/QendraPress/