Çaste poetike me poeten;-Shyrete DEMAJ

Si hajmali.

—————————

Rënkimin tim nuk duronte nëna

pëshpëriste lutje, si të fliste me perëndi

e mbështillte me pëlhurë drite,

si hajmali.

Më bëhej herë si diell e herë si hënë,

herë më derdhej si shi

kur më thahej shpirti

shkretëtirave pa fund trishtimi.

E shenjtë hajmalia e nënës

jetësonte hirin shkrumb

shëronte çdo plagë,

bekuar me djersë, lot e mund.

Hajmalia prej shpirti e nënës

me mua gjithkund,

frymë që më mban gjallë,

ëndrrat m’i përkund.

Pergamenë në sy, më rri kjo hajmali

e shkruar pa fjalë, e kënduar pa zë

heshtje me tinguj parajse

lutje shpirti fjalët e nënës.

Gjithë bekimet në një hajmali

mburojë prej nëne me dashuri.

/QendraPress/