Çaste poetike me poeten:-Teuta BIÇAKU

Manushaqe

————————–

Nuk vij me bujë.

Jam manushaqja me brymë në oborr,

që çel pranë tokës

pa pyetur nëse ajri është ende i ftohtë.

Pak nga pak e ditë për ditë,

rrënjët në heshtje magjike punojnë.

Drita afrohet dalëngadalë,

zemra për leje që të hapet nuk ka nevojë.

Pranvera nuk ka frikë të vijë.

Ajo vjen si ngrohtësi e padukshme,

si sythi që hap syrin drejt diellit,

si rrënja që shtrihet pak nga pak

nën dheun e lagur poshtë qiellit.

Pranvera nuk ka frikë të vijë.

Dhe unë,

me hap të vogël,

po mësoj të mos i dorëzohem frikës,

se çelja ime

është parathënie e dritës.

/QendraPress/