Çaste poetike me poeten; Trandafile MOLLA

FALEMINDERIT KOSOVĒ !
———————————————–
Gëzofsh ndër shekuj!
Kosovë, sot te ti është ditë e madhe
njëzet e pesë vjet çlirimin feston,
madhështore lartësohesh nëpër halle,
përpjekur mes flakësh në beteja qëndron.
Hapi i UÇK-së pa pushuar trumbeton,
për ty, bijën e Ajkunës arbërore
me trimëri armëngjeshur vigjëlon,
për nënën, trojet dhe tokën amëtare.
Qëndresa heroike të rrjedh prej fisit,
fisnikëria nga zemra qelibar të buron,
njohur për mikpritje nga koha e neolitit,
për miq derën hapur mban gjithmonë.
Gjergjin, birin tënd, mban në zemër
bashkë me Azemin e Shotë Galicën,
me Jasharët e bijtë që të dhanë emër,
Drini lëshon oshëtimë e mbulon Gjalicën.
Hapi i UÇK-së trumbeton fuqishëm lirinë,
thellë nëpër damarët e tokës vlagë,
zëri i dëshmorit thërret për drejtësinë,
shpagim për tokën e dashur, larë me gjak.
Hapi i UÇK-së trumbeton në tënden zemër,
syri i përlotur vigjëlon, nuk ka gjumë
në këmbë brofin, ruajnë shpresë e ëndërr
Dardanì, të mbrojnë ty nga çdo dhunë.
Të mbrojnë foshnjën e re, nusen e bukur
në trupin e fildishtë, ku shkìet bënë plagë
rrethuar je me zogj e bletë, lule e flutur
famuri kuq e zi zbukuron tëndin bajrak.
Trumbeton UÇK-ja, në këmbë është çue
çdo bir i yti mban një emër shqiptar,
se në jetë për ty njëherë janë betue,
jetën me dhanë për tokën janë krenarë.
Dardanì, prite urimin nga zemra e zjarrtë
nga thellësi e saj përvëluar me mall,
ta gëzosh ndër shekuj lirinë e artë,
amanet pavarësinë, lirinë, të shenjtën fjalë!
Trandafile Molla (Baja)
Durrës Shqipēri
/www.QendraPress.com/