Çaste poetike me poeten;-Valbona Pasha KORDHA

Hijet që s’ndërrojnë vend
———————————-
Edhe kur rrëzuam altarët,
kur e gdhendëm heshtjen në gur,
hyjnitë nuk vdiqën.
U tretën në dritë,
u bënë shije mbi muret e lashta,
zëra që s’kanë më gojë,
por që flasin në erë.
Toka, kjo që s’di të ankohet,
i ndien akoma hapat e tyre.
Në mëngjesin e parë të gushtit,
kur dielli ngrihet si kujtim i ndritshëm,
ajri mban një rrahje që s’është e jona.
Diku në kodër, një fytyrë kalon
as mish, as re,
por prani që e njeh emrin tënd
para se ta thuash.
Ato që humbën, s’janë më larg.
Janë këtu,
tek mënyra si një pemë e vetmuar
pranon hijen e saj
pa u dridhur.
/QendraPress/