Çaste poetike me poeten;-Valbona Pasha KORDHA

Dritë e fshehur
————————–
Rri zgjuar në heshtje,
dhe më duket sikur nata frymon brenda meje.
Jo më si terr,
por si një dhomë e gjerë ku mendimet ndalen,
shtrihen, dhe pastaj treten ngadalë
si hapat mbi rërë.
Mësoj të mos kërkoj fjalë,
as përgjigje,
veç të dëgjoj rrjedhën e padukshme
që më çon drejt një qetësie tjetër.
Është e çuditshme si shpesh
errësira mban më shumë dritë
se çdo agim.
Dhe aty, mes asgjësë,
më ndriçon një qetësi e fshehur
që s’është as shpresë, as humbje
veç një prani e thjeshtë
që më mëson të jem.
/QendraPress/