Çaste poetike me poeten;- Valbona R.HADRI

Kur shpresa merr frymë

———————————–

Sa shumë do të doja

Ta bëj këtë botë të mos vuajë

T’i shoh gjithë nënat të buzëqeshura

Dhe bijtë të kthehen nga vendi i huaj.

Të shoh çdo grua fytyrëdritë

Të ecë e lirë në dritën e saj

Në tokë t’i zbres edhe yjet

Ta zbusë janarin, ta bëjë maj.

Ta shoh qytetin tim të kaltër

Me sheshet mbushur plot fëmijë

Me shpirtra njerëzorë, të qeshur

Me rrugë përplot diell e ngrohtësi.

Ata janë engjëjt e çdo kohe

Me copëza qiejsh brenda syve

Me libra ëndrrash nëpër duar

Çdo ditë do të mbajë emrat e tyre.

Te të rinjtë shoh dritën e diturisë

Guximi i tyre shkund edhe retë

Ata nuk tremben nga pushtetet

Për një të nesërme më të drejtë.

Atdheu im jeton në çdo zemër

Te çdo Flamur ai merr frymë thellë

Pranë tij veten e ndjej ndryshe

Zonjë shqipe mbi këtë dhe.

/QendraPress/