Çaste poetike me poeten;-Vilma NIKA

Motet ndryshojnë.

————————————–

Mëngjeset më nuk ngjasojnë

kohë e largët, kohë e shkuar.

Thellë diku me mall kujtojmë,

lot e gjak që na mbajnë zgjuar.

Dikush pret një fjalë zemre

telefoni më nuk bie…

Dikush ecën sdi pse ecën,

dikush tretet nën një hije.

Një album na shuan mallin

tek kujtojmë një zë,një jetë….

Është një pjesëz që mban zemra

dalëngadalë dhimbja e vret.

Ditët,motet,s’janë të njëjta

që na mblidhnin në gëzime.

Dikur qeshnin trerët e drunjta

tani qajnë vilat stoike.

Thoni festa ka trokitur,

ç’po zhubros në tënden fletë?!

Eh,janë shumë tashmë të ikur

që veç jetës dhanë dhe jetë.

/QendraPress/